Të Tjera

Kodi 17-12/ 2017

Tej zvetënimit

 

Asht çakërdisë paqja. Fytyrat janë zymtue, sikur jeta asht tue stinue dimën. Njerëzit shpesh marrin t’njëjtën hije – janë turmë e nisun drejt të njëjtit qëllim, ç’ngjyrosje mendimesh e ndjesish.

Në tanë këto plogështi të imagjinatës e vetëdijes, ka edhe ngjyra që stonojnë. Asht sikur lule dimni, që të mek me erë e të mahnit me bukuri, ndërkohë që thatësina shtrihet tërthor mbi ajrin e sertë. Asht e vagullt ama e ngjyra e lule dimnit për lulet e thame përreth, por lulja me forcë e pa u imponue don me mbajtë gjallë të bukurën, natyrshëm edhe mes vdekjes.

Njashtu edhe në t’sertën frymë mbijetese, që na përhapet përditë, ka fytyra që s’prajnë buzëqeshjen e dashtninë, kanë ngjyrë tjetër prej grihes së turmës, sikur  mbajnë në sy nji penel t’ngjyem fort në dritë e me të mëshojnë me forcë sipër territ.

Ata  i kanë rranjët tek e bukura e mbi to ndërtohet nji trung me nji formë kujtese  t’prekshme e  t’ndryshueshme, por që s’mund të losin prej rrâjsh. Aty trungu ushqehet përditë me langun e jetës, ndërsa gjethet që s’janë asnji stinë njësoj e, asnji vit t’njëjtat, i japin dritë të ndryshme. Kur shkëputen prej trungut fletët i merr era e shkojnë e flasin nëpër ajri për burimin, për rrajën e për jetën e trungut. E tanë bota din pak për atë trung e shpesh shkojnë me e pa me kuriozitet për me gjetë t’shkrueme fjalët e gjetheve. Aty ndiejnë dashninë e largohen të ngiem me frymë, pa i dhanë asnji përqafim pemës. Por pema e ka ushqimin ndër rrajët që thellohen përditë tue kërkue përtej e pa pra’ gzimin.

Paqja asht çakërdisë e trungu nuk ia thotë rrajëve çka shef, por ja njet nalt gjetheve dashninë e burimit që ato me gjetë shteg  me qetue botën. Përvujtnija e trungut nuk asht te gjethet shtegtare e as te degët që tentojnë drejt qiellës, asht te ashklat që nesër kanë me shkri akullin e me çlirue ballin prej randesave të motit, e kshtu ma shumë njerëz kanë me rrokë trungun, kanë me ndie erën tuj folë me gjethet e kanë me zgjedhë paqen e dashninë.

Murla ka me pasë gjithmonë, por trungu me përvujtni ka me na kujtue burimin, sa herë harresa të vejë dorë mbi ne.

Posto një koment