Kategoria Poezi 2017 Të Tjera

Kodi 13-40/ 2017

Jepmë një penel!       

Jepmë një penel të pikturoj lule mbi trotuaret gri,

t’u jap jetë pllakave të zhytura në pluhur trishtimi,

e të zgjohet mbi to “dikuri” plot hijeshi,

e le të vrapojnë sipër tyre këmbë fëmijësh, që i ka rrëmbyer gëzimi.

 

Jepmë një penel, në fytyrat e njerëzve të pikturoj buzëqeshje,

t’i bëj të pyesin ëmbëlsishëm “si je?”, si dikur!

T’ua pikturoj zemrat dhe nga sytë t’ua heq të urrejtjes veshje

e bojën e vërtetë të dashurisë t’ua pikoj mbi lëkurë!

 

Më jepni një furçë të lyej qytetin tim!

T’u hedh ngjyrë pallateve nga koh’ e harruar!

E nëpër rrugë të tërheq sërish atë njerëzim,

që dikur kishte fuqinë e pashtershme për të ëndërruar!

 

E dua një penel, që me bojën e shpirtit të çudis njerëzinë!

Të dalin nga virtualja ku kanë ngecur dhe të jetojnë.

Mes bojrash shumëngjyrëshe të gjejnë frymëzim,

të ëndërrojnë, të zgjohen dhe të realizojnë!

 

Po, dua t’i jap jetë sërish këtij qyteti, ta ringjall!

Mes pemëve imagjinare të luajnë fëmijë plot lumturi,

dhe sharlatanëve që e shkatërruan t’u dal ballë për ballë,

e t’u tregoj se si thjesht me një penel ky qytet mund të jetojë përsëri…

Posto një koment