Kategoria Poezi 2017 Të Tjera

Kodi 13-37/ 2017

Shkëlqimrënia e bunkerit

 

Më lodhi,

të lodhi…

ju lodhi koha e ikur…

Mangët: shtresat klasore,

ku ngritje pozite

kishte veç një emër:

kooperativat bujqësore…

 

Deri në majat e maleve pushtetare,

flakëronin

drapri dhe çekani,

simbolet e kudondodhura…

 

Populli,

kupolë e mbyllur

e kohës së regjimit “Bunker”…

Njerëzit strukur

mentaliteteve në kthetra.

Disa prej tyre

dhe sot i bëjnë jehonë…

Harresë:

në sofrën e përditshme

veç lot e djersë.

Pak bukë…

pak ushqime…

Më jep një tollon falas,

të lutem!…

Epokë pasmigjeniane…

në një kohë të pakohë…

Kohë regjimi

me rregulla pjellë ligjesh minusi

të konstrukturuara komunizmi.

 

Një dritë duke dhënë shpirt

në mes të dhomës.

Rrobat demode, traditë e kohës…

 

Parulla të hedhura,

të vrara rrugës,

pa arritur në destinacion…

 

Tradita paradoksale

lulëzonte vetëm

në sheshe grushtngritura të kohës…

 

Një telefon përtej lagjes

për të marrë lajmin farmak, të zi si korbi…

Rendje maratonomaku,

pa arritur kurrë në finish

për të dhënë lajmin e nemitur

të brengës totale.

 

A mund të lutej njeriu për Zotin

në këtë faqe të çjerrë,

të kthyer për së prapthi,

ku vetë Zoti rikryqëzohej?

Objektet e kultit

kthyer këmbët nga dielli…

S’ka më keq

se ky kryqëzim,

ekzekutim i pabesë!…

 

A mund të kishte status lirie

në këtë kasaphanë të mbjellë,

ku varej dhe fleta e verdhë…

 

Liria e veprimit hapësirë,

vetëm punë natë e ditë…

 

Të flisje një fjalë më tepër s’e ç’duhet,

shndërroheshe në eunuk, memec…

Ishe objekt pritje në çdo moment.

 

 

2.

Poetët apeluan

daljen nga skutat e errëta të kohës.

Gjak rëndonte pena mbi letër,

gjak rëndonin ëndrrat për botën.

Me demonstrata antikomuniste filloi ’90-a.

Fara e re – lulet e rinisë mbirë,

të mbronin ëndrrat, idealet e veta…

Studentët kërkonin demokraci,

pluralizëm dhe treg të lirë.

Thirrjet kumbonin kaq të vërteta,

kur në sytë e tyre shihje shpresë,

sa sistemet dukeshin qartë,

s’ishin të njëjta…

E për atë të shkuar,

duhej kërkuar ndjesë.

 

Dolën njerëzit

në dritë të kësaj demokracie të brishtë,

të shihnin botën,

të njihnin vetveten…

 

E kaluara tashmë

mbetet një kujtim i trishtë…

Të zgjuar përjetë nga e vërteta!

 

*

Atje tej ai qëndron i zymtë,

të vështron me sytë

dikur të zjarrtë…

Bota e tij dikur e shkëlqyer,

sot e rënë nga froni i artë…

 

Liria përshkon

tejpërtej poret dhe dejet

e konstruktit

dhe frymëmarrjes

me tone të reja…

Lindjet, liria i ka

me të vërtetë të bukura,

në metamorfozë totale jeta.

Posto një koment