Kategoria Poezi 2017 Të Tjera

Kodi 13-30/ 2017

Sy orizorë

 

Kur heshtja të thyen brinjët dhe të shkallmon mushkërinë,

nuk mund të jetë më heshtje…

Cifla të holla shkëputen nga çekani që godet,

shpërndahen në mijëra cifla të tjera.

 

Me duar që s’binden përpiqesh t’i mbledhësh të gjitha.

Të kap paniku kur sheh një pore të hapur që nxjerr tym,

gjithë avujt toksikë në panikun serrë.

 

Të gjaken sytë teksa prek sipërfaqen e smeriltë.

Ndien therje… oh!

Aty poshtë krahut, pranë zgavrës së bufatur,

përthyhet hija si karikaturë e ndotur.

 

Ndien gjymtimin, çekani të godet ty.

Të kërkon si i marrosur derisa të ciflosi

si porcelanet kineze

blerë në tezgat e një aziatiku… në lagjen e tij europiane.

 

E sheh të vërtitet si lëmshi rreth vetes,

të buzëqesh hidhshëm me sytë orizorë…

Të shtohen dhimbjet, oh!

Një shpatë osmane,

një bajonetë gjermane,

një shigjetë indiane… therja të shtohet, të shtohet…

Përballë vazhdojnë të qeshin sytë orizorë.

Posto një koment