Kategoria Poezi 2017 Të Tjera

Kodi 13-29/ 2017

Pa titull

 

A e mban mend,

se dera e vjetër ishte një pëllëmbë e hapur?

Shtëpia mbante ende erë barut.

Muret e çara si zgavra sysh të shqyer prej tmerrit.

Brenda tyre, njerëzve të mpirë,

ua zhveshën me dhunë jetët prej kurmit

si tesha mjerane që flaken në zjarr.

Nën hundë, era mort dhe qumësht i djegur harrese.

I parë nga brenda, oborri i gjelbër

dukej si instalacion i jetëve të ndërprera:

shapkat e çara të nënës mbi prag,

këmisha e bardhë që djali i vogël veshi për fejesë,

biçaku me të cilin gjyshi qëronte mollën e mëngjesit,

një orë e ndryshkur me akrepat si krahë të dorëzuar,

e një palë çelësa për të kyçur tërë dhimbjen brenda.

Pusi përkrah u kthye në aortë gjaku,

të cilës ia prenë rrugën për te zemra.

A e mban mend,

se banesat e këtij qyteti u ngjanin gazetave të përditshme

ku nuk shfletoje lajme të bukura?

Fytyrat e të afërmve ishin mure të rrënuara

ku nuk gjeje vend për të varur tablonë e një buzëqeshjeje.

… Ajo mësoi të përkufizonte fjalën “gjenocid”

në moshën 15-vjeçare.

Përplasje e dhunshme në shkëmb të ekzistencës.

E vuajti “njeriun” si një plagë reale në kraharor

dhe hija e saj filloi të ecte një hap më ngadalë se trupi.

Mësoi të stërvisë sytë në errësirë.

Dhe qau dy ditë, dhe s’foli një javë…

Sot nuk dua të ndërmend

qytetin tuaj të lirizmave patetike

e të muzgjeve të brishta si takimet e para.

E dashuron më fort jetën kur në shteg të del vdekja,

dhe i ofron si kujtim

një poezi

në formë kryqi.

Posto një koment